Një motor me të cilin po udhëtonin dy djem të rinj, është përplasur gjatë orëve të vona të natës në Durrës.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 1:30 në rrugën “Aleksandër Goga” në lagjen nr. 8, ku shtetasi me iniciale E.S. 27 vjeç, banues në Durrës, duke drejtuar mjetin motor tip Dukati me targa JTB-214 mbi 1.000cc, ka goditur barrierat prej hekuri të vendosura në rrugë për shkak të punimeve që po bëheshin.
Më pas, ai ka humbur kontrollin dhe ka goditur një mjet tip Citroen veturë me targa AA 037 NS, i parkuar në anë të rrugës.
Si pasojë e përplasjes, 27-vjeçari është dëmtuar rëndë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë, ndërsa pasagjeri, shtetasi I.H.43 vjeç, ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e aksidentit, ndërsa nuk përjashtohet që shkak të jetë bërë edhe kanali i gjerë i hapur.
E gjithë rruga “Aleksandër Goga” deri në Spitallë është çarë në kuadër të punimeve për shtrimin e rrjetit të ri elektrik, duke ngushtuar kështu karrexhatën dhe vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Drejtuesit e automjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm, sidomos gjatë natës, pasi kanali mund të përbëjë burim të rrezikshëm aksidenti.





