Mbrëmje e frikshme për Mario Balotellin. Sulmuesi italian, pjesë e Adana Demirspor në Turqi, është i dëmtuar prej 15 nëntorit. Ndërkohë, në qytetin e Brescias ai ka rrezikuar jetën. Audi i 33-vjeçarit ka përfunduar jashtë rrugës, duke u shkatërruar plotësisht. Për fat të mirë, futbollisti nuk ka pësuar asnjë lëndim. Edhe pse ishte tepër i shokuar nga ngjarja.
Sipas shtypit italian, ai ishte totalisht i alkoolizuar. Policia tentoi t’i bënte një test alkooli, por lojtari refuzoi në mënyrë kategorike. Balotelit më pas iu hoq patenta e drejtimit të cilën ndër të tjera nuk e kishte me vete në momentin e aksidentit.
Sulmuesi nisi në shtator aventurën e dytë turke me Adanasporin. Dhe deri tani ka shënuar 3 gola në Superligën turke. Balotelli ka një karrierë të pasur, teksa ka luajtur me skuadra si Inter, Manchester City, Milan, Liverpool, Marseille. Apo dhe Nice, Brescia, Monza e Sion, krahas turqve të Adanas. Në karrierën e tij ai ka fituar një Champions League, 4 Serie A, një Kupë dhe një Superkupë Italie, një Premier League, një FA Cup, një Community Shield. Me kombëtaren e Italisë (36 ndeshje, 14 gola) shkoi deri në finalen e Europianit të 2012. Me të kaltrit që u mposhtën 4-0 nga Spanja.