Një aksident i rëndë ka ndodhur në qytetin e Beratit ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona.
Të plagosurit janë shoferi i makinës së aksidentuar, N.XH 30 vjeç si dhe një pasagjer që udhëtonte me të.
Makina me targat AA 135 BZ, mësohet të ketë dalë nga rruga si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe ka përfunduar duke u rrotulluar dhe më pas duke u përplasur me një shtyllë.
Aksidenti
Një mjet tip ‘Audi A 80’ me targa AA 135 BZ, duke udhëtuar me shpejtësi në drejtim të qytetit, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me shtyllën. Pas përplasjes me shtyllën, mjeti që drejtohej nga dy të rinjtë ka përfunduar i përplasur me murin ndarës të një shtëpie në anë të rrugës.
Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe të rinjtë u nxorën nga mjeti me vështirësi nga punonjësit e Repartit Zjarrfikës, që mbërritën në vendngjarje pak minuta pas aksidentit së bashku me forcat e policisë.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi me inicialet N.Xh, 30-vjeç dhe pasagjeri 27-vjeçar që udhëtonte në të njëjtin mjet, janë dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit në gjendje të rëndë dhe janë nën kujdesin e mjekëve. Burimet policore në vendngjarje konfirmojnë se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë jashtë normave të lejuara me të cilën po udhëtonin dy të rinjtë.





