Një aksident me vdekje është regjistruar mëngjesin e sotëm në hyrje të qytetit të Kuçovës. Aksidenti është regjistruar në orën 06:30 minuta në vendin e quajtur “Meteor”. Një 31-vjeçar që ishte duke qarkulluar me automjetin e tij, tip Fiat Punto, me targa AA 667 LK, ka përplasur një burrë rreth 70 vjeç që po udhëtonte me biçikletë në rrugë.
Mjeti që drejtohej nga Marineo Bregu dhe i moshuari që lëvizte me biçikletë ishin duke qarkulluar në të njëjtin sens kur makina e ka goditur të moshuarin nga pas.
Ende nuk dihet identiteti i viktimës.
Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe ekspertë të qarkullimit rrugor, të cilët kanë kryer edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Sipas policisë, shkak për aksidentin e rëndë është bërë shpejtësia me të cilën automjeti ishte duke qarkulluar në këtë rrugë.





