31 pasagjerë janë plagosur rëndë, ndërsa për 17 të tjerë nuk dihet ende fati i tyre, pasi një autobus me turistë u përfshi nga flakët në një udhëtim turistik në jug të Gjermanisë.

Autobusi që po transportonte 46 pasagjerë dhe dy shoferët, u përfshi nga flakët pasi u përplas me një makinë tjetër në trafikun e rënduar në autostradën A 9 pranë qytetit Muenchberg.

Raportohet se disa pasagjerë kanë marrë dëmtime të rënda, ndërkohë që ekziston frika se të tjerë mund të kenë humbur jetën. Disa helikopterë shpëtimi i janë bashkuar punonjësve të emergjencës të pranishëm në vendngjarje. Gjithashtu, pritet të konfirmohet nëse ka viktima.

Një zëdhënës i policisë raportoi për mediat gjermane se në orët në vijim pritet të zbardhet dinamika e përplasjes dhe shkaku i saj.