3 korrik 2015 – Dje ka ndodhur një aksident i rëndë në aksin rrugor Gjepalaj-Shijak, ku ka mbetur i vdekur një 77-vjeçar dhe është plagosur një 20-vjeçar.
Në vendin e quajtur varrezat e lagjes “Keçi” në Shijak, 20-vjeçari E.A., nga Dibra, duke drejtuar mjetin BMV me targë ‘AA266IN’ është përplasur me mjetin ‘Benz 190’ me targë ‘AA364LL’ me drejtues shtetasin H.P., 20 vjeç, banues në Shijak.
Si pasojë, ka gjetur vdekjen shtetasi L.C. 77 vjeç, banues në Dibër, i cili ishte pasagjer në mjetin ‘BMV’, dhe është dëmtuar rëndë drejtuesi i ‘Benz’-it, i cili ndodhet në Spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.
Pas këtij aksidenti, efektivët e Durrësit kanë filluar procedimin penal në mungesë dhe po punojnë për kapjen e 20-vjeçarit E.A., i cili është shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Shkelja e rregulave të qarkullimit rrugor”dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/