Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Durrës arrestuan në flagrancë 3 drejtues mjetesh.
Dy prej tyre ishin në gjendje të dehur, ndërsa një 31-vjeçar shkaktoi një aksident me pasojë plagosjen e 3 personave.
Në rrugën dytësore “Durrës-Ndroq”, shtetasi H. D., 31 vjeç, banues në Londër, me automjetin që drejtonte është përplasur me dy automjete të tjera. Si pasojë janë dëmtuar 3 pasagjerë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë shtetasi H.D. u arrestua.
Gjithashtu u prangosën edhe dy shtetasit Sh. R., 66 vjeç, banues në Durrës dhe G. K., 39 vjeç, banues në Tiranë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.





