LIBRAZHD-Një aksident me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e 3 të tjerëve ka ndodhur paraditen e sotme në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.
Ngjarja e rëndë është shënuar në hyrje të qytetit të Librazhdit në vendin e quajtur Babje ku një automjet me targa AA 583 FC e kompanisë SHRT Myrto është përplasur me një maune me targa maqedonase Bitola 595 DM i cili drejtohej nga 43-vjeçari Peco Stojanovski.
Për pasojë kanë gjetur vdekjen Ilir Veliaj 36 vjeç dhe Trëndafil Bregasi 51 vjeç nga Skrapari, ndërsa janë plagosur tre persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet ende i ditur.
Mësohet se njëri prej të plagosurve, Xhevahir Kurti 56 vjeç është transportuar me helikopter në Spitalin Ushtarak në Tiranë si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore ndërsa dy të plagosurit e tjerë ndodhen në spitalin e Elbasanit.
Ndërkohë policia e cila ka shkuar në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë e shkaqeve të aksidentit të rëndë.





