Një aksident me pasojë plagosjen e 7 personave, 4 prej të cilëve minorenë, ka ndodhur ditën e djeshme në rrugën Shkafane-Hamallaj, te kthesa e fshatit Hamallaj, Manëz.
Për këtë ngjarje, policia e Durrësit ka vënë në pranga 23-vjeçarin Xh. Hoda, banues në Sukth.
Ka qenë ora 09:40, kur Xh.Hoda, duke drejtuar mjetin tip “Ford” ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin N.L. 48 vjeç, banues në Kamëz.
Për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i mjetit “Ford” (jashtë rrezikut për jetën) dhe pasagjerët: S.K. 14 vjeç, banues në Kullë, H.K. 14 vjeç, banues në Rrushkull dhe E.S. 15 vjeç, banues në Rrushkull, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu janë dëmtuar edhe pasagjerët në mjetin tip “Benz”, shtetasit A.L. 21 vjeçe, D.L. 16 vjeç dhe H.M. 61 vjeç, banues në Tiranë, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën.





