Për të 11 herë me radhë, kabina e telefonisë dhe internetit në hyrje të rrugës tregtare është kthyer në urë pritëse të mjeteve që aksidentohen.

Fatmirësisht në momentin e përplasjes së një mjeti me kabinën telefonike në rrugë nuk ka patur njeri, sepse në rast të kundërt ndonjë person mund të mbetej i lënduar.

Ndonëse në akset rrugore brenda qytetit, automjetet duhet të qarkullojnë me shpejtësi të moderuar, jo të gjithë drejtuesit i zbatojnë rregullat. 

Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, një aksident i radhës është shënuar pranë bashkisë së qytetit, në fillim të shkallareve të njohura si shkallët e amfiteatrit.

Mjeti, që me sa duket ka qënë me shpejtësi të madhe, nuk ka mundur të marrë kthesën e të evitojë përplasjen që mund të ishte dramatike nëse përballë mund të ndodhej ndonjë këmbësor.

Aksidente të tilla tregojnë se sa të rrezikuar janë këmbësorët edhe kur janë duke ecur në trotuar, aq më shumë kur trotuaret e qytetit të Durresit janë thuajse të bllokuara nga tavolinat dhe karriget e lokaleve dhe shpesh janë të detyruar të ecin në rrugën e makinave.

Në mëngjes, punonjësit e Telekomit kanë shkuar të riparojnë defektin, i cili la pa linjë një lagje të tërë.  

K.H.