Një aksident i rëndë është regjistruar në Milano, Itali, ku një tramvaj ka dalë nga shinat dhe është përplasur me një ndërtesë, duke lënë të plagosur disa persona.

Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, në zonën e Porta Venezia.

Sipas informacioneve paraprake, tramvaji i linjës 9 po udhëtonte në drejtim të stacionit Porta Genova kur, për arsye ende të paqarta, doli nga shinat në Viale Vittorio Veneto dhe u përplas me një ndërtesë.

Raportohet se mjeti ka goditur disa persona gjatë daljes nga shinat, por numri i saktë i të përfshirëve dhe gjendja e tyre shëndetësore ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Sipas mediave italiane, në vendngjarje kanë mbërritur gjashtë ambulanca dhe pesë automjete mjekësore të urgjencës me kod të kuq, ndërsa në operacion janë angazhuar gjithashtu zjarrfikësit, si dhe forca të policisë lokale dhe oficerë nga selia qendrore e policisë.

Disa persona të plagosur janë nxjerrë nga rrënojat, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për të liruar një pasagjer që ka mbetur i bllokuar brenda mjetit. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

FOTO/ Aksident në Milano, tramvaji del nga shinat, disa të plagosur.