BULQIZE, 22 qershor 2013 – 6 të plagosur është bilanci i një aksidenti automobilistik të regjistruar mëngjesin e sotëm në Bulqizë.

Ngjarja ka ndodhur në urën e qytetit, ku një furgon pasagjerësh është përplasur me një furoistradë dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur 6 shtetas, identitetet e të cilëve nuk dihen ende, ndërsa janë transportuar menjëherë drejt spitalit rajonal të Bulqizës pëer marrjen e ndihmës shëndetësore, nga ku mësohet se tre prej tyre janë në gjendje të rëndë për jetën.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa nga hetimet paraprake, aksidenti dyshohet të kenë ndodhur për shkak të shpejtësisë së lartë të njërit prej mjeteve të përfshira në aksident.