FUSHE KRUJE – Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 13.15 në zonën e njohur me emrin Larushk në Fushë-Krujë. Dy automjete janë përplasur njëra me tjetrën duke shkaktuar plagosjen e 3 personave. Burime policore bëjnë të ditur se mesditën e sotme janë përfshirë në një aksident automobilistik dy automjete tip Benz me targa SH 69 34 D dhe tjetri me targa italiane BR 696, i drejtuar nga një 17 vjeçar.
Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur të gjithë personat që ndodheshin në makinën me targa shqiptare. Shtetasi Roland Bisha është personi që ka marrë dëmtimet më të rënda dhe është në gjendje kritike për jetën në spital. Ndërkohë dy pasagjerët Lorenc dhe Alban Neli, përkatësisht 35 dhe 32 vjeç nga Burreli kanë pësuar dëmtime të lehta.
Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët e policisë së Krujës kanë shoqëruar për në komisariat 17 vjeçarin A. Baku, nga fshati Luz, Krujë, i cili drejtonte mjetin me targa italiane. Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e aksidentit.





