ITALI, 14 prill 2013 – Një 25 vjeçar shqiptar ka humbur jetën ditën e sotme në Itali, ndërsa miku i tij italian ka mbetur i plagosur rëndë. Eshtë ky bilanci i një aksidenti të rëndë rrugor në Amelia të Italisë.

Në mjetin e aksidentuar tip Fiat Uno, udhëtonin dy persona, të cilët për arsye ende të panjohura përfunduan në korsinë e gabuar. Të zhdukur prej pasdites së djeshme pa gjurmë, mungesa e tyre bëri që të shqetësohen miq dhe të afërm, të cilët nisën kërkimet për ta.

Gjatë paradites së sotme u gjet jashtë rrugës makina me dy të rinjtë e aksidentuar brenda, por fatkeqësisht shqiptari kishte ndërruar jetë.

Viktima u identifikua si 25 vjeçari Edson Hoxha shqiptar me banim në Terni, ndërsa i dëmtuar rëndë mbeti miku i tij 28 vjeçari, Francesco Iovine, i cili ndodhet në spital me dëmtime të shumta.

Nuk dihen ende rrethanat e aksidentit, ndërsa nga ana e policisë kanë nisur hetimet.