Shqiptarët e kanë harruar që ka trena në lëvizje për shkak se ata janë gjithmonë e më të rrallë. Harresa e neglizhenca kanë bërë shoferë e qytetarë që të kalojnë mbi shina në disa raste edhe viktima të aksidenteve.
Të paktën për një javë, si pasojë e kalimit mbi shina, janë shënuar tre aksidente të ndryshme të cilat fatmirësisht nuk kanë shënuar viktima.
Qytetarët kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën duke kapërcyer shinat e trenit. Madje, në disa raste kanë me vete edhe me karroca me fëmijë të mitur. Ka edhe si kjo zonjë me karrocë ka zgjedhur që të shplodhet në mes të shinave.

Drejtori i Infrastrukturës në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhës Shqiptare, Leonardo Jani, thotë se gjatë viteve, në të gjithë rrjetin hekurudhor ekzistojnë dhe janë evidentuar 260 kalime të paligjshme.
Jani shprehet se institucioni që ai përfaqëson, i është drejtuar me shkresa zyrtare institucioneve kompetente për zgjidhjen e këtij problemi, por sipas tij, gjithnjë ndërtohen kalime të paligjshme ku në mënyrë të paligjshme sipërfaqja mbushet me dy apo tre karroca inerte.
Në linjën hekurudhore Durrës-Shkodër, Durrës-Tiranë dhe Durrës-Elbasan, të gjitha kalimet e ligjshme janë të pajisura me sinjalistikën përkatëse, ndërsa problem mbeten kalimet e paligjshme që shtohen çdo ditë nga individë në kundërshtim me ligjin.
K.H.





