Në kuadër të fushatës evropiane për sigurinë dhe shëndetin në punë, Inspektoriati i Punës në Durrës u ndal sot në shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela” për t’i informuar nxënësit lidhur me rreziqet që mund t’u kanosen në vende të ndryshme pune, madje edhe kur punojnë  nga shtëpia.

Fushata e këtij viti po zhvillohet nën sloganin “Vende Pune të shëndetshme, në Epokën Dixhitale”. Për punëmarrësit dhe punëdhënësit në të gjithë sektorët, teknologjia dixhitale ofron më shumë avantazhe dhe mundësi, por gjithashtu paraqet sfida dhe rreziqe të ndryshme në lidhje me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.

“Në kuadër të fushatës evropiane kemi ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi, informimi dhe këshillimi jo vetëm në shkollat profesionale, por edhe në të gjithë sektorët e tjerë siç janë ndërtimi, prodhimi, call center, pra të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitete. Ne si inspektoriat, nëse do të ndodhë një incident apo aksident për punonjësit që kryejnë punë Smart (nga shtëpia) e kemi të pamundur të dalim në konkluzione nga hetimi i aksidentit, për të zbardhur arsyen pse ndodhi. Duke qenë ambient shtëpiak nuk mund t’i kërkosh dokumentacionin që kërkon legjislacioni për të gjitha masat e sigurisë”,- thotë për “DurrësLajm” drejtori i ISHP Durrës, Bledar Voka.

Nxënësit e shkollave profesionale zhvillojnë praktika mësimore që në vitin e dytë të shkollimit, për këtë arsye, njohja  me rreziqet që mund të paraqesin profesione të veçanta mbetet primare për ta.

Garantimi i sigurisë teknike të nevojshme në vendin e punës është kusht kryesor për subjektet private dhe fokus i punës së degës rajonale të ISHP Durrës. Sipas drejtorit Voka ka një ndërgjegjësim të shtuar të subjekteve private, sidomos tek profesionet e konsideruara të rrezikshme.  

“Inpektoriati i Punës, dega Durrës kryen gjatë një viti diku tek 950 inspektime. Nga këto inspektime, 60 janë ankesa nga punëmarrësit, 85% e të cilave shkojnë në favor të punëmarrësit dhe mbi 27 janë aksidente dhe incidente në punë. Nga këto ka pasur dhe raste me pasoja fatale për jetën. Të gjithë subjektet e kanë kuptuar rëndësinë e marrjes së masave për vende të sigurta pune për të mos pasur pasoja dhe parandaluar sa më shumë aksidentet”.  

Në takimin informues të zhvilluar në shkollën “Beqir Çela” ishin të pranishëm dhe prefekti i qarkut Emiljan Jani dhe Indrit Buka nga Drejtoria Rajonale e Punësimit Durrës.

M.B.