Aksidentet rrugore kanë shënuar një rënie prej 21% gjatë dy muajve të parë të vitit 2025, sipas shifrave të publikuara nga INSTAT. Në periudhën Janar-Shkurt janë regjistruar 213 aksidente, nga 270 që ndodhën në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke ulur mesatarisht numrin e aksidenteve ditore nga pesë në katër.

Rreth 86% e aksidenteve janë shkaktuar nga sjellja e drejtuesve të mjeteve. Grupi më i prekur ka qenë ai i moshave 25-34 vjeç dhe 45-59 vjeç, ndërsa një shqetësim i veçantë është rritja e aksidenteve te personat mbi 60 vjeç. Pasojat e këtyre aksidenteve kanë rezultuar në 296 të plagosur e të vrarë, krahasuar me 378 viktima dhe të plagosur gjatë periudhës Janar-Shkurt të vitit të kaluar.

Në muajin Shkurt, numri i aksidenteve ka arritur në 88, me një rritje të veçantë të aksidenteve që ndodhin gjatë intervalit orar 19:00-24:00, që përbëjnë 19.3% të ngjarjeve totale.