Kompania prodhuese e helikopterit EC 145, që u rrëzua në liqenin e Shkodrës, ka kërkuar pezullimin e të gjitha fluturimeve me këtë lloj mjeti.

Pas ngjarjes tragjike më 6 prill, ku humbën jetën dy pilotë dhe u plagos një ushtarak, Eurocopter ka vendosur që asnjë prej helikopterëve të firmës të mos fluturojë. Madje ka ndaluar edhe prodhimin e tyre, nisur nga dyshimet se shkak i aksidentit ka qenë një defekt teknik.

Një shkresë zyrtare u është drejtuar klientëve të kompanisë, mes tyre edhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, e cila disponon edhe një tjetër mjet fluturimi të kësaj kompanie.

Kërkesa është një masë sigurie, pasi nuk përjashtohet mundësia që aksidenti të këtë ndodhur si pasojë e një defekti teknik.

Pritet që ditët në vijim kamera e gjetur në liqen të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme në Gjermani.