Policia e Durrësit ka bërë arrestimin e shoferit të trailerit që aksidentoi për vdekje ditën e enjte 25-vjeçaren Artineda Haskasa.
Policia informon sot se: “Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin F. K., 39 vjeç, banues në Malishevë, Kosovë, pasi më datë 07.01.2021, në ambientet e portit, duke drejtuar mjetin tip “Man” (trailer), ka aksidentuar shtetasen A. H., 25 vjeçe, e cila për pasojë ndërroi jetë.”
Ngjarja e rëndë që tronditi gjithë ekipin e APD-së ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 15:30 në ambientet e portit të Durrësit, kur trajleri aksidentoi të renë që punonte si punonjëse e sigurisë në Autoritetin Portual.
Në një reagim mbrëmjen e shkuar në faqen zyrtare në Facebook, APD u shpreh se i gjithë ekipi ndjehej i pikëlluar nga humbja tragjike e jetës së koleges së tyre, Artineda Haskasa.
APD shtoi me dije se në bashkëpunim me Policinë e Durrësit dhe organet hetimore, të gjitha divizionet e APD-së janë angazhuar maksimalisht në funksion të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes tragjike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.





