Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në Urën e Dajlanit, ku një automjet tip “BMW X5” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar poshtë urës.
Për ngjarjen, policia e Durrësit informon se fatkeqësisht 18-vjeçarja që ndodhej në mjet si pasagjere, ka ndërruar jetë, ndërsa nga aksidenti kanë mbetur të plagusur 3 persona.
“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve”- njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.





