Zbardhen detaje të reja nga aksidenti tragjik i ndodhur këtë mbrëmje në Rrugën e Kombit, aksin rrugor Rrëshen-Rubik, me pasojë vdekjen e katër personave.
Viktimat janë pjesëtarë të së njëjtës familje nga Kosova, ndërsa nga aksidenti ka mbetur dhe një i plagosur, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në makinë udhëtonin 5 persona. Paraprakisht raportohet se kanë ndërruar jetë dy prindërit dhe dy fëmijë, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë një fëmijë tjetër i mitur.
Automjeti “Citroen” ku udhëtonte familja kosovare është shkatërruar tërësisht. Në këtë aksident janë përfshirë një makinë tip “Citroen” dhe një kamion.
Sipas të dhënave paraprake dyshohet se makinat janë përplasur kokë më kokë. Në këtë pjesë të Rrugës së Kombit mungon ndriçimi dhe dyshohet se ka ndikuar në shkaqet e aksidentit, si dhe lagështira në rrugë.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Informacion paraprak
Në aksin rrugor Milot-Morinë, në afërsi të një karburanti në Rreshen, mjeti tip “Citroen” me të cilin udhëtonte një familje kosovare është përplasur me mjetin tip kamion me drejtues shtetasin I.I.,banues në Kosovë.
Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit tip “Citroen”, bashkëshortja e tij dhe 2 fëmijët dhe është plagosur fëmija i mitur, i cili është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë.
Grupi hetimor në vendngjarje punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.





