Pas aksidentit tragjik që i mori jetën 4 anëtarëve të një familje në aksin Fier-Vlorë, në rrjetet sociale gjatë ditës së sotme pati shumë reagime dhe u paralajmërua një protestë para Ministrisë së Brendshme. Dhe kështu ndodhi. Dhjetëra qytetarë kanë bllokuar rrugën para godinës në shenjë proteste. Sipas tyre kjo pasi është ky institucion që duhet të marrë masa për parandalimin e aksidenteve.

“Një njeri që udhëton me 150-200 km/h në orë në një rrugë, sado që të jetë limiti i saj, mendoj se është vrasës potencial. Se ai nuk u aksidentua, por vrau, mori në qafë dikë tjetër. Ka diçka që nuk funksionon këtu. Ne shohim kudo policë, por këta njerëz e lëvizin me mbi 150 km në orë janë aktiv.”– tha një qytetar.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, në zonën e njohur si “Zona e Kripës” në aksin Fier-Vlorë. “Audi” përplasi makinën e llojit “Toyota” dhe shkaktoi kështu vdekjen e katër anëtarëve të një familjeje. Më pas u përplas me shtyllën elektrike dhe përfundoi në kanal. Dy personat që ndodheshin brenda mjetit “Audi” u plagosën lehtë. Drejtuesi i mjetit është arrestuar nga policia.