Katër persona mbeten të plagosur rëndë pas përplasjes së një autoveture me një kamion në superstradën Lezhë-Laç.

Aksidenti ndodhi rreth orës 13:00 të së hënës pranë Fushë-Milotit, ndërsa njëri prej të plagosurve mbeti i bllokuar për rreth 30 minuta për shkak të dëmtimeve të shumta që kishte pësuar makina.

Për nxjerrjen e tij ndërhynë forcat zjarrfikëse dhe bashkë me tre persona të tjerë që mbeten të plagosur u dërguan me urgjencë për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, nga ku mësohet se ndodhen në gjendje të rëndë për jetën, pasi kanë marrë dëmtime në disa pjesë të trupit.

Policia nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti, nga i cili u bllokua për rreth 1 orë dhe superstrada Lezhë-Laç.

Për normalizimin e qarkullimit të automjeteve në këtë aks rrugor ndërhynë policia rrugore, ku brenda një kohë të shpejtë u bë i mundur dhe largimi i makinave të aksidentuara nga rruga.