Gazetari Denis Dyrnjaja ka reaguar pas aksidentit të rëndë me dy të vdekur dhe dy të plagosur rëndë, ndodhur mëngjesin esotëm në kyreqytet.

Dyrnjaja shkruan se kjo ngjarje tragjike ishte thjesht çështje kohe ndërsa paralajmëron të tjera tragjedi nëse mbi timon do vazhdojnë të jenë shofere të papërgjegjshme.

"Ishte çështje kohe kjo ngjarja tragjike e Kamzës ku njëra i mori jetën një vajze 7 vjeç, gjithashtu një 29 vjeçari dhe ka çuar në koma një fëmijë tjetër e ka plagosur edhe një person përveç dëmeve të shumta materiale pasi i përplasi me makinë. Nuk e kam parë dinamikën e ngjarjes, por nga precedentët që shoh gjatë ditës në lëvizje, përfytyroj në timon një femër që ecën shpejt me makinë, pa kuptuar fort sensin e shpejtësisë, krahun e lëvizjes, futjen në parakalim pa dalluar çfarë ka anash dhe kush ka përparësi, pa reflekset e duhura për të drejtuar një makinë, me celular në vesh dhe me kurajën se ja del t'i japë edhe makinës edhe të flasë në Tel edhe të dëgjojë muzikë me zë te lartë, e t'i japë makinës me taka sigurisht.

Nuk e përgjithësoj dhe nuk dua të preken ato femra të përgjegjshme në makinë që janë shumicë, por pakica që unë përshkruaj është vërtet një kontigjent i rrezikshëm për të marrë jetë njerëzish në rrugë.

Keqardhje e madhe për jetët e humbura. Një nënë sapo humbi vajzën e saj 7 vjeçare duke e patur për dore nga papërgjegjshmëria njerëzore dhe kjo është edhe më e rëndë kur shkaktare është vetë një femër që krijon e sjell jetë. Me atë që shohim rrugëve do ndodhi prapë, rrezik edhe më rëndë. Çështje kohe është….", shkruan Dyrnjaja.

Mëngjesin e sotëm rrugët e Tiranës u përgjakën pasi 29-vjeçarja Rozina Koleci, teksa drejtonte mjetit tip “Benz” shkaktoi tragjedinë me dy të vdekur në Kodër-Kamëz. Koleci u përplas me një biçikletë dhe më pas përplasi Valbona Ndreun me dy vajzat e saj 7 dhe 6 vjeçe, kalimtare.

Për pasojë, ndërroi jetë biçiklisti, 29 vjeç, i identifikuar si Ramazan Isha, si dhe vajza 7 vjeçe. Ndërkohë nëna dhe vajza tjetër 6 vjeçe ndodhen në spital në gjendje të rëndë.