28-vjeçari Edision Lazri, shoferi i mjetit tip “Benz” me targa angleze është arrestuar pasi sipas njoftimit zyrtar të Policisë, mjeti që ai drejtonte është përplasur me një makinë tjetër tip “Benz” që drejtohej nga 55-vjeçari Kujtim Istrefi, i cili mbeti viktimë si pasojë e aksidentit të ndodhur në aksin rrugor Bulqizë-Maqellarë në vendin e quajtur ‘Ura e Gjoricës’.

Aksidenti i rëndë shkaktoi humbjen e jetës së 3 familjarëve, vëllezërve Kujtim Istrefit (Dehari) 55 vjeç, Murat Istrefi (Dehari) 74 vjeç dhe 51-vjeçares Lulëzime Istrefit (Dehari), bashkëshortja e Kujtim Istrefit.

Të plagosur kanë mbetur Mërgim Lazri 24 vjeç, Kadrie Markeçi 18 vjeç, Firuze Istrefi 55 vjeç, të cilët kanë qenë pasagjerë, si dhe shoferi Edison Lazri 28 vjeç i cili u vu në prangat e policisë.

Policia njofton se të plagosurit po marrin ndihmë mjekësore në spital.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Të vdekur:

1. Kujtim Istrefi ( Dehari ) – 55 vjeç (Maqellarë – Dibër)

2. Murat Istrefi (Dehari) – 74 vjeç (Maqellarë – Dibër)

3. Lulëzime Istrefi (Dehari) – 51 vjeç (Maqellarë – Dibër)

Të plagosur:

1. Mërgim Lazri – 24 vjeç (Bllatë e Epërme – Dibër)

2. Edison Lazri – 28 vjeç (Bllatë e Epërme – Dibër)

3. Firuze Istrefi – 55 vjeç (Maqellarë – Dibër)

4. Kadrie Markeçi – 18 vjeç (Shupenzë -Dibër)

Njoftimi i Policisë

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Dibër, arrestuan shtetasin E.L., 28 vjeç, banues në fshatin Bllatë, Dibër. Arrestimi i tij u bë pasi me datë 04.01.2023 rreth orës 18.15, në aksin rrugor Bulqizë-Maqellarë në urën e fshatit Gjoricë duke drejtuar automjetin tip ‘Benz’, është përplasur me një automjet tjetër tip ‘Benz’, që drejtohej nga shtetasi K.I., 55 vjeç, banues në Maqellarë.

Si pasojë e këtij aksidenti humbi jetën drejtuesi i mjetit shtetasi K.I., dhe dy pasagjerët M.I(D), 74 vjeç; L.I., 51 vjeçe. Po si pasojë e këtij aksidenti mbetën të lënduar shtetaset F.I., 55 vjeçe; K.M., 18 vjeçe; M.L., 24 vjeç dhe shtetasi E.L, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital.