Katër persona kanë humbur jetën dhe një tjetër u plagos rëndë kur kabina e teleferikut me të cilin po udhëtonin u shkëput dhe ra nga lartësia pranë Napolit në jug të Italisë.

Mediat italiane bëjnë me dije se në mesin e viktimave janë dy britanikë dhe dy izraelitë, gjë e cila ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Mediat lokale thonë se kabina ka qenë afër majës së malit Faito kur një nga kabllot që e mbështesin atë u këput.

Prokurorët kanë nisur një hetim pasi zyrtarët konfirmuan se viktimat ishin tre pasagjerë dhe drejtuesi i teleferikut. Një kabinë e dytë ishte gjithashtu duke ecur, por fatmirësisht 16 persona u shpëtuan prej saj.

Autoritet italiane thonë se kushtet e këqija të motit, duke përfshirë mjegullën, erën dhe shiun, e kanë bërë të vështirë për ekipet e shpëtimit hyrjen në zonën ku është rrëzuar kabina. Më shumë se 50 zjarrfikës morën pjesë në përpjekjet e shpëtimit.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila ishte në një udhëtim në Uashington në kohën e incidentit, shprehu ngushëllimet e saj për familjet e viktimave.

Ky nuk është aksidenti i vetëm i rëndë teleferik në shtetin fqinj. Në vitin 2021, 14 njerëz humbën jetën kur një teleferik që lidh liqenin Maggiore në rajonin verior të Piemontes të Italisë me një mal aty pranë u rrëzua duke i marrë jetën.