Në vijim të hetimeve për përplasjen e dy mjeteve lundruese ditën e djeshme në plazhin e Golemit, ku mbeti i plagosur një 30-vjeçar, policia arrestoi në flagrancë shtetasin J. K., 21 vjeç, gjithashtu u referuan materialet në Prokurori për nisjen e procedimit penal ndaj shtetasve I. H., 42 vjeç dhe E. T., 25 vjeç, me detyra përkatëse pronar, administrator dhe punonjës i subjektit që dha mjetet me qira.

Sipas policisë shtetasit P. B., 30 vjeç dhe S. D., 23 vjeç, nuk kanë qenë të pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh. Shtetasi P. B. që u dëmtua nga përplasja e këtyre mjeteve lundruese, vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Njoftimi i plotë;

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për përplasjen e 2 mjeteve lundruese, në plazhin e Golemit, bëjmë me dije se në vijim veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin J. K., 21 vjeç, dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit I. H., 42 vjeç dhe E. T., 25 vjeç, të tre banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me detyra respektive pronar, administrator dhe punonjës i një subjekti për dhënien e mjeteve lundruese, me qira, në Golem, pasi dje pasdite, iu kanë dhënë me qira, 2 mjete lundruese, shtetasve P. B., 30 vjeç dhe S. D., 23 vjeç, të cilët nuk kanë qenë të pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh. Shtetasi P. B. që u dëmtua nga përplasja e këtyre mjeteve lundruese, vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.