Futbolli ukrainas në zi. Këtë të Mërkurë u nda nga jeta ish mbrojtësi i Dynamos së Kievit, Andriy Gusin. Një aksident me motor ishte fatal për 41-vjeçarin që i dha kështu fund jetës. Gusin, i cili ishte një nga protagonistët e Kombëtares Ukrainase që në Botërorin e vitit 2006 që u zhvillua në Gjermani mbërriti deri në çerekfinale, ishte duke provuar motocikletën e tij në një cirkuit pranë kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, por fatkeqësisht humbi kontrollin në një kthesë të pistës duke u rrëzuar përtokë, aksidenti ishte fatal për 41-vjeçarin që vetëm pak momente më vonë mbylli sytë për të mos i hapur më kurrë.

Gusin deri në Majin e shkuar mbante pozicionin e zëvendëstrajnerit tek skuadra e Anzhi Makhachkalas. I lindur në vitin 1972 në vendin lindor, Gusin gjatë karrierës së tij si lojtar i Dynamos së Kievit korri shumë suksese. Në sezonin 1998-1999, ai dhe Dynamo mbërritën deri në gjysmëfinalet e kompeticionit më magjik për klube Uefa Champions League. Edhe me klubin legjendar ukrainas Gusin u shpall 7-herë kampion i vendit, ai u largua nga Dynamo pas Botërorit duke u transferuar në Rusi ku mbylli edhe karrierën në vitin 2010. Andrey Gusin la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë.