Një 17- vjeçar shqitar ka humbur jetën pas një aksidenti të ndodhur një ditë më parë në Itali.
I riu me origjinë shqiptare, Armando Bali, rezident në Terlizzi, ka humbur jetën sot në sallën e reanimacionit në spitalin Bonomo të Andria-s.
“Nuk ia doli dot”, shkruan portali “Terlizziviva.it”.
Si pasojë e përplasjes të ndodhur rreth orës 15:15 të ditës së djeshme në Itali, gjeti vdekjen e menjëhershme edhe 17- vjeçari italian nga Terlizzi, Giuseppe De Chirico.
Në aksident u përfshinë një makinë tip “Peugeot” dhe një motor, që u përplasën përgjatë rrugës provinciale 107 që lidh Terlizzi me Giovinazzo-n, në San Martino. Të dy viktimat udhëtonin me motor.
I lindur në vitin 1999, shqiptari ishte i dashuruar me volejbollin dhe jetën, shkruajnë mediat lokale. Një pasion i lindur në bankat e shkollës dhe me skuadrën e të rinjve të Trelicium Supervolley. I qetë dhe një djalë që rrezatonte lumturi, ai frekuentonte shkollën e mesme dhe pas disa javësh, do të fillonte edhe vitin e katërt.





