Pesë persona të plagosur të një familjeje, mes të cilëve dy fëmijë të mitur dhe një çift bashkëshortësh në gjendje të rëndë, është bilanci i aksidentit të ndodhur këtë të diel në Durrës.

Dy makina, një tip “Benz” dhe një tjetër tip “BMW” janë përplasur fort me njëra-tjetrën, e si pasojë janë plagosur të gjithë familjarët që ndodheshin në “Benz”, ndërsa drejtuesi i makinës tjetër, që është një shtetas italian, ka shpëtuar për fat të mirë.

Aksidenti është regjistruar rreth orës 17:10, ndërsa policia e Durrësit ka dhënë edhe detajet e para të ngjarjes dhe identitetit të të plagosurve.

Njoftimi paraprak i policisë:

Më datë 07.05.2017, rreth orës 17:10, në unazën Plepa- Shkozet, (në kryqëzim) një mjet tip “BMW” me targa italiane me drejues shtetasin italian M.D. është përplasur me një mjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin A.S. 31 vjeç, banues në Tiranë.

Për pasojë janë dëmtuar 5 persona që udhëtonin në mjetin tip “Benz”, konkretisht drejtuesi i mjetit, shtetasi A.S. dhe pasagjerët në mjet, bashkëshortja e tij, shtetësia D.S. 26 vjeçe, 2 vajzat e mitura, shtetaset S.S. 1 vjeçe dhe V.S. 5 vjeçe dhe shtetësia H.D. 65 vjeçe, banuese në Mallakastër.

Vajzat e mitura dhe gjyshja e tyre, shtetasia H.D. aktualisht ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve, ndërsa çifti i bashkëshortëve në Spitalin Ushtarak Tiranë.

Drejtuesi i mjetit tip “BMW” ndodhet në vendngjarje.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.