Personi në foto është Bajazit Thaçi, i riu që humbi jetën në aksidentin tragjik që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në aksin rrugor “Gosë-Vilë Bashtovë” në Kavajë.

Ai ka qenë duke drejtuar një automjet tip “Mercedes Benz” dhe dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Shkaku i aksidentit dyshohet se ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën po udhëtonte i riu.

Bajazit Thaçi ishte dhe anëtar i Këshillit Bashkiak në Rrogozhinë. Në një shënim në rrjetet sociale, Këshilli Bashkiak në Rrogozhinë shpreh ngushëllimet në lidhje me ndarjen nga jeta të 28-vjeçarit.

“Me shumë keqardhje dhe trishtim, njoftojmë se anëtari i Këshillit Bashkiak në Rrogozhinë, Bajazit Thaçi, është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur. Kjo humbje e papritur ka lënë një boshllëk të thellë në komunitetin tonë dhe ka shkaktuar dhimbje për familjen e tij dhe miqtë. Ai ishte një kontribues i shquar në shërbimin e publikut dhe kishte përkushtim të palëkundur ndaj përparimit të bashkisë dhe komunitetit të saj. Jemi solidar me familjen dhe miqtë e tij në këtë moment të vështirë dhe shprehim ngushëllimet më të thella. Kujtimi i tij do të jetë një frymëzim për ne të gjithë, dhe do të mbetet gjallë në kujtesën tonë përgjithmonë.”– shkruan Këshilli Bashkiak.