Të tjera detaje janë zbuluar për 23 vjeçaren e cila humbi jetën në aksidentin e të mërkurës mbrëma në autostradën Tiranë-Durrës.

Ndërsa ende nuk është arrestuar tropojani që shkaktoi aksidentin tragjik pas mesnatës së të mërkurës, ku vdiq 23-vjeçarja Elena Avdillari dhe taksisti që po e shoqëronte drejt Tiranës Bujar Agalliu, të tjera detaje mësohen mbi lëvizjet e vajzës.

“BalkanWeb” mëson se Elena Avdillari ka hyrë rreth orës 21 të mërkurën dhe ka bërë check-in në Portin e Durrësit. Pas check-init, Avdillari është kthyer nga policia kufitare pasi rezultonte të kishte shkelje me kohën e qëndrimit në shtetin Italian, siç mëson “BalkanWeb”.

Ajo kishte udhëtuar katër herë drejt Italisë, por herën e fundit kishte shkelur afatin 90 ditor ose tre muaj të lejuar për shtetasit e vendeve që nuk janë në zonën Shengen. Nisur nga kjo shkelje 23-vjeçarja nuk u lejua të udhëtojë drejt Italisë.

Burime të “BalkanWeb” bëjnë me dije se Elena kishte tentuar të udhëtonte edhe në 10 janar drejt Italisë, nëpërmjet aeroportit të Rinasit por sërish e kishin kthyer.