Gjykata ka vendosur masat e sigurisë për disa individë të dyshuar si përgjegjës për aksidentin e rëndë në Fushë Prezë, ku humbën jetën katër persona. Shoferi i betonieres, Aleksandër Krrashi, është lënë në burg pa afat, pasi akuzohet për shkeljen e nenit 290/4 të Kodit Penal.
Po ashtu, Valentin Krrashi është arrestuar dhe është dërguar në burg për veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit”.
Një tjetër shtetas i dyshuar si përgjegjës, Danil Koxha, është lënë në “detyrim paraqitje”.
Në dëshminë e tij në gjykatë, 24-vjeçari Aleksandër Krrashi ka deklaruar se pasi makina ku udhëtonin viktimat u përplas me betonieren, doli nga mjeti menjëherë dhe tentoi të hapë dyert e Benz-it, por theksoi se mjeti u përfshi nga flakët.
“Ishte e pamundur ta ndihmoja më tej”, deklaroi 24-vjeçari duke shtuar se kontaktoi me kompaninë dhe i kërkoi të sillte në vendngjarje një betoniere me ujë.
Ai deklaroi se pas aksidentit shkoi në shtëpi dhe pasi u ndërrua u paraqit në komisariat së bashku me familjarët e tij.
“Iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave. Kur makina më goditi nga pas, dola menjëherë dhe tentova të hap dyert. Makina shpërtheu në flakë dhe ishte e pamundur ta ndihmoja më tej. Mora kontakt me kompaninë dhe kërkova që të sillnin një betoniere me ujë për të shuar flakët. E njoftova dhe familjen time dhe më pas shkova në shtëpi. Pas ndërrimit të rrobave, bashkë me katër familjarë të mi, shkova në komisariatin e Kamzës ku dhe u dorëzova”, u shpreh Aleksandër Krrashi.