Arrestohen drejtuesit e dy mjeteve që u përplasën dje pranë fshatit Mashkullorë në Gjirokastër duke shkaktuar vdekjen tragjike të 3 personave, mes të cilëve edhe dy fëmijë të mitur.

Në pranga janë vënë Irfan Hasani 31 vjeç nga Gjilani dhe Hasan Dedja 58 vjeç nga Tirana, ndaj të cilëve rëndon akuza e shkeljeve të rregullave të qarkullimit.

Irfan Hasani po drejtonte mjetin tip Nisan me targa ZH 750960 në drejtim të aksit Tepelenë-Gjirokastër, kur është përplasur me furgonin tip “Benz” me targa AA760LI që drejtohej nga Hasan Dedja që po lëvizte në drejtim të aksit Gjirokastër –Tepelenë.

Viktimat që humbën jetën në këtë aksident të rëndë janë Albana Hasani, punonjëse e policisë, vajza e saj 9-muajshe D. D., dhe fëmija L. L., 1 vjeç e gjysmë nga Kosova.

Nga përplasja e mjeteve kanë mbetur edhe tetë persona të plagosur, shtetasit P.H., 26 vjeçe, H.D., G. Sh., K.Gj., 9 vjeç, E.Gj. 13 vjeçe, L.H. 3 vjeç e gjysmë, E. Gj., dhe I.H, të cilët pasi morën ndihmën mjekësore në spitalin rajonal Gjirokastër u transportuan për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë. Mjekët thonë se tre prej tyre ndodhen në gjendje kome.