Mirela Daci ishte viktima e aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e djeshme në një kthesë në fshatin Rrotull në Gjirin e Lalzit.

31-vjeçarja ishte pjesë e stafit të klinikës së mjekut të njohur plastik, Skerdi Faria ose siç njihet ndryshe doktori i VIP-ave.

Në një postim në rrjetet sociale, Faria shpreh dhimbjen për humbjen e Mirelës, e cila ishte në profesion infermiere.

"U prehsh ne PAQE o ENGJËLLI YNË!!! Po më plas zemra. ???? Pas një aksidenti me makinë ndërroi jetë e dashura, e ëmbla, e bukura e staffit tonë, MIRELA!", shkruan Skerdi.

Viktima po udhëtonte me makinë bashkë me motrën dhe dy fëmijë në momentin kur mjeti i tyre u përplas me një "Fouristradë", ku udhëtonte shtetasi francez.

Si pasojë e përplasjes ndërroi jetë menjëherë Mirela Daci, ndërsa është dashur ndërhyrja e zjarrifikësve të cilët sharruan makinën për të nxjerrë prej saj 31-vjeçaren, nënën e dy fëmijëve.