Orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune ishin të fundit për 50-vjeçarin Bardhyl Beqiri, i cili humbi jetën për shkak të një aksidenti.

Punonjësi i ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit ishte duke kryer si çdo ditë punën e tij për tërheqjen e mbeturinave urbane, kur rreth orës dy të mëngjesit është përplasur për vdekje nga një automjet që drejtohej nga 18-vjeçari B. Hoxha.

Përplasja në ambientet e jashtme të një hoteli në zonën e Shkëmbit të Kavajës ka qenë fatale për 50-vjeçarin Beqiri, ndërsa të plagosura kanë mbetur edhe dy vajza 20-vjeçare që ndodheshin në automjetin e përfshirë në aksident.

Fotot nga vendngjarja dëshmojnë përplasjen e fortë që ka ndodhur aty.

Policia e Durrësit njoftoi se ka shoqëruar drejtuesin e mjetit në komisariat, ndërkohë që të plagosurat janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin rajonal.