Një tjetër aksident tragjik është shënuar mëngjesin e kësaj të premteje në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, ku për pasojë raportohet se kanë humbur jetën dy persona dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në afërsi të fshatit Gocaj. Policia raportoi se viktimë kanë mbetur çifti i bashkëshortëve, 53 dhe 45 vjeç.

Po ashtu të plagosur kanë mbetur tre persona të tjerë në automjetin tjetër, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Lezhë–Mabë”, në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F. L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P. F. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P. F., rreth 53 vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E. F., rreth 45 vjeç, bashkëshortë.

Gjithashtu, janë dëmtuar 3 pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F. L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.”, njofton policia.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.