24-vjeçarja Antonela Zhupa, e cila mbeti e plagosur rëndë në aksidentin tragjik që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Sarandë, ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Gjendja e saj është kritike dhe po mbahet nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor.

Ngjarja ndodhi gjatë natës kur automjeti me të cilin udhëtonin Antonela dhe dy vajza të tjera, motrat Ela dhe Rozina Dhimaku, përkatësisht 22 dhe 20 vjeçe, u përplas me një mjet tjetër tip Audi.

Përplasja e fuqishme rezultoi fatale për motrat Dhimaku, të cilat humbën jetën në vend, ndërsa Zhupa mbeti e plagosur rëndë.

Policia ka arrestuar 23-vjeçarin Kevi Norra, banues në Gjirokastër, i cili drejtonte mjetin tip “Audi”. Nga testi i alkoolit rezultoi se ai ishte në gjendje të rëndë të dehur në momentin e përplasjes.

Antonela Zhupa, e cila ka pësuar politrauma, fillimisht u trajtua në spitalin e Sarandës, por më pas u transferua në Tiranë për trajtim të specializuar për shkak të natyrës së dëmtimeve të rënda.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik, i cili ka lënë pas një humbje të madhe njerëzore dhe një plagë të thellë për familjet dhe komunitetin.