Një aksident i rëndë ndodhi pasditen e djeshme në afërsi të Gjirit të Lalzit, ku një automjet përplasi për vdekje për vajzë 8-vjeçare.

E mitura kishte ardhur bashkë me prindërit e saj në Shqipëri për pushime, ndërsa ishin nga Sllovenia.

Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin, i cili është 18-vjeçari Genci Gjura.

Ky i fundit u arrestua me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

“Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin G. Gj., 18 vjeç, banues në Tiranë, pasi mbrëmjen e djeshme, në segmentin rrugor “Maminas- Gjiri i Lalzit”, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasen S. S., 8 vjeçe, banuese në Sllovaki, e cila humbi jetën në spital”, njoftoi policia lidhur me ngjarjen e rëndë.

Ndërkohë raportohen detaje të reja lidhur me aksidentin që i mori jetën të miturës 8-vjeçare.

Sipas raportimeve, 18-vjeçari që drejtonte makinën kishte vetëm 4 ditë që ishte pajisur me patentë dhe nuk ka mundur të manovrojë, për pasojë ka përplasur 8-vjeçaren.

E mitura ishte në praninë e prindërve, të cilët kishin ndaluar makinën për të bërë blerje në market.

Prindërit kanë qëndruar në makinë dhe kanë dërguar vajzën për të bërë blerje. Në momentin që po kalonte rrugën, 8-vjeçarja është përplasur nga automjeti, ndërsa drejtuesi nuk ka rezultuar nën efektin e pijeve alkoolike apo narkotikëve, pas testeve të kryera.