Merr përmasa akoma edhe më tragjike aksidenti i ndodhur sot në Velipojë, ku humbën jetën 4 persona, dy prej të cilëve dy shqiptarë e dy italianë.

Mësohet se drejtuesi i mjetit, Besmir Kola, 29 vjeç, pas pak ditësh do të martohej. Ai kishte caktuar 14 gushtin si ditën kur do të kurorëzonte lidhjen e tij në martesë.

Besmir Kola dhe Artenisa Peraj nga Kakarriqi i Lezhës së bashku me dy miqtë e tij italianë kishin shkuar në plazhin e Velipojës .

Policia njofton se aksidenti i rëndë ndodhi në orën 2:30 minuta, kur automjeti tip BMW seria 7 ngjyrë gri me targa AA 767 HF, i cili po lëvizte nga Shkodra në drejtim të fshatit Vilun, ka humbur kontrollin duke përfunduar në kanalin me ujë të Hidrovorit që ndodhet në pjesën fundore të rrugës.

Mjeti ka përfunduar në ujë në një thellësi gati 3 metra, ndërsa personat që ndodheshin në të kanë mbetur të bllokuar brenda duke mos arritur që të dalin nga makina.

Viktima e tretë është Giorgio Angelo shtetas italian 23 vjeç, ndërsa viktima e katërt nuk është identifikuar ende.

Në vendin e ngjarjes mbërritën shërbimet policore dhe një grup i posaçëm hetimor, i cili nisi veprimet procedurale për të hetuar shkaqet e aksidentit, teksa janë nxjerrë trupat nga mjeti në kanalin e Vilunit.