Pushimet e Kristiano Ronaldos në Majorka janë mbyllur me një eksperiencë të hidhur në rrugët e qytetit turistik spanjoll. Bugati i tij Veiron është përplasur rreth orës 11 të mëngjesit të së hënës në një zonë mbledhjeje bombolash gazi, por fatmirësisht askush nuk është lënduar.

Në timonin e makinës super të shpejtë të yllit të Mançester Junajtidit nuk ndodhej sulmuesi 37-vjeçar, por një punonjës i tij, i cili ka dalë pa probleme nga mjeti, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia.

Pjesa ballore e makinës ka pësuar dëme të mëdha, ndërsa përveç shoferit në automjetin dyvendësh nuk ndodhej askush tjetër në momentin e përplasjes.

CR7 ndodhet në Majorka që prej datës 14 qershor dhe ai është duke shijuar pushimet e kësaj vere së bashku me të fejuarën, Xheorxhinën dhe 5 fëmijët e tij.

Bugati Veiron EB 16.4 është një nga makinat e rralla që ka prodhuar gjiganti i makinave sportive, e cila arrin një shpejtësi maksimale prej 407 km/h. Kristiano preferoi ta merrte atë me vete edhe në Spanjë gjatë pushimeve të kësaj vere. Dëshmitarët thanë se e kishin parë autoveturën sportive që të humbiste kontrollin në një kthesë dhe më pas ishte përplasur me një pikë mbledhjeje të bombolave të gazit të cilat fatmirësisht kanë qenë bosh, përndryshe mund të kishin shkaktuar një tragjedi.