TIRANE, 20 nentor 2013 –Deputeti i Partisë Demokratike Sokol Olldashi dyshohet se ka humbur jetën sot në mbrëmje në një aksident të ndodhur në aksin Tirane-Elbasan, pasi automjeti me të cilin udhëtonte ka rënë në greminë. Aksidenti automobilistik u shënua në zonën e njohur si Lapidari i Krrabës. Në momentin e aksidentit, deputeti Olldashi së bashku me një person tjetër ende i paidentifikuar po udhëtonin me automjetin tip ‘Benz’ i zi AA003HN’. Makina ka rënë nga një lartësi e madhe, ndërsa vështirësi është paraqitur në nxjerrjen e trupave. Policia, dy ambulanca dhe një makinë zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje. Pas kësaj në vendin e ngjarjes mbërriti dhe Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri dhe deputeti Flamur Noka, deputeti Taulant Balla, Astrit Patozi, Lulzim Basha, Sali Berisha, prefekti i Tiranes. Deputeti Flamur Noka ndodhet në vendngjarje, por nuk ka pranuar të flasë. “Nuk mund të flas dot”, tha ai. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit për shkak të shiut të dendur. Në vendngjarje ka mbërritur edhe bashkëshortja e Sokol Olldashit, e shoqëruar nga deputetja e PD, Mesila Doda, e cila i fshihte të vërtetën, duke i thënë se "Sokolin po e çojnë në spital".
Policia sqaron se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin pasi rreshjet e dendura të shiut e kanë penguar të shohë rrugën dhe si pasoje ka përfunduar në greminë. Mësohet se automjeti ka pësuar disa rrotullime të njëpasnjëshme në greminë duke u shkatërruar tërësisht. Terreni ku eshte rrezuar automjeti eshte teper i veshtire.Deputeti i PD, Igli Cara konfirmon se po bëhet nxjerrja e trupave. Ka dalë trupi i parë, po nxirret trupi i Olldashit.Bllokohet qarkullimi në te dyja anet e kalimit ne Krrabë. Një rradhë e gjatë me makina prej 1 km ka arritur zgjatimi në këtë aks, ndërkohë që vijon dhe moti i keq.Ne Spitalin Ushtarak nuk ka mberritur ende ambulanca me personat e aksidentuar sot ne greminen e Krrabes.
Kush ishte Sokol Olldashi
Të dhëna vetjake
Datëlindja: 17.12.1972
Edukimi:
1995- Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë.
2004- Kolegji i Mbrojtjes pranë Komandës së Doktrinave (Politikat e Sigurimit Kombëtar).
Diplomuar me “Medalje të Artë” – shkolla e mesme e përgjithshme “Naim Frashëri”, Durrës.
Veprimtaria profesionale:
Profesioni: Jurist
1999-2001: Kryeredaktor në Televizionin ATN1
1995-1999: Zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën “Albania”
1994-1996: Reporter pranë ATSH-së.
Veprimtaria politike:
2002: Kryetar i Forumit Rinor të PD-së.
maj 2005 – maj 2009: Kryetar i PD-së së Tiranës.
2001-2005: Nënkryetar i Komisionit të Përhershëm të Mandateve, Imunitetit dhe Rregullores.
Anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme.
Kryetar i Komisionit Hetimor për shqyrtimin e ligjshmërisë së përdorimit të fondeve në Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës si dhe zbatimin e ligjshmërisë për zhvillimin urbanistik në Tiranë.
2005-2007: Ministër i Brendshëm
2007-Shtator 2013: Ministër i Punëve Publike dhe Transportit.
Anëtar i Partisë Demokratike, dega Durrës, që në dhjetor 1990
Anëtar i mbledhjes themeluese të FRPD-së
Qershor 2001 – Maj 2005, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë
2005 – 2007 Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, zgjedhur në zonën elektorale 26, Durrës
2009 – 2013 Deputet i Qarkut Fier
2013 e në vazhdim Deputet i Qarkut Fier





