Gjermani, 7 gusht 2014 – Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Ilir Azemi është përfshirë në orët e para të kësaj të enjteje në një aksident të rëndë automobilistik pranë Nurenbergut. 22-vjeçari që aktivizohet me Greuther Furth në Bundesligën e Dytë Gjermane po udhëtonte me Audin e tij, teksa fillimisht është përplasur me një mjet furgon para se të dëmtohej edhe më rëndë nga një shtyllë e energjisë elektrike.

Sikurse raportojnë mediat gjermane, shtatlarti shqiptar ka mbetur i bllokuar për rreth 40 minuta në Audin e tij dhe është dashur ndërhyrja e forcave të emergjencës për ta nxjerrë nga automjeti. Për momentin nuk ka asnjë njoftim zyrtar për gjendjen e tij shëndetësore, ndonëse duhet theksuar impakti i përplasjes ka qenë shumë i fortë. Në mbështetje të sulmuesit kosovar doli presidenti i Greuther Furth-it, Helmut Hack, i cili siguroi se do të ketë mbështetjen maksimale të klubit që të shërohet sa më shpejt.

Ndërkohë pak orë para aksidentit të rëndë Azemi kishte sqaruar përmes faqes së tij në Facebook se do të mbetej te Greuther Furth, pavarësisht ofertave. Sipas Azemit, klubi gjerman i kishte refuzuar të gjitha ofertat që kishin ardhur në drejtim të tij, ndaj ishte i detyruar të qëndronte te kjo skuadër të paktën deri në fund të sezonit.

Presidenti i Greuther Furth, Helmut Hack bën me dije se sulmuesi kosovar Ilir Azemi është jashtë rrezikut për jetën pas aksidentit të rëndë me makinë që pësoi në mëngjesin e së enjtes.

"Unë kam informata se Iliri nuk është në rrezik. Ai është duke u trajtuar në qendrën për kujdes intensiv. Gjatë mbrëmjes pritet stabilizimi i gjendjes së tij", deklaroi Hack për gjermanen "Bild".

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/