Durrës, 14 korrik 2014 – Një tjetër aksident në det është regjistruar në Durrës, një javë pasi ndërroi jetë një i ri që theu vertebrat e qafës, ndërsa rrëshqiti nga varka në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Këtë herë, fati i keq i ka qëlluar një adoleshenti nga Spitalla. I riu F.M., 17 vjeç ndërsa po lahej në plazhin e Kallmit, pasditen e së dielës, ka ndeshur me kokë në një gur të nënujshëm.

Së bashku me shokët e tij, 17 vjeçari ka qenë duke realizuar hedhjen nga shkëmbinjtë e shumtë që ndodhen në bregdetin e kësaj zone. Gjatë hedhjes ai ka goditur me kokë shkëmbin.

Përplasja ka qenë e fortë dhe i ka shkaktuar lëndime të shumta adoleshentit. Kanë qenë shokët e tij që e kanë nxjerrë me shpejtësi në breg dhe kanë njoftuar menjëherë ambulancën.

I riu është dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit dhe më pas në spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ndodhet aktualisht.

Sipas mjekëve gjendja e tij është e rëndë dhe ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/