Policia e Vlorës ka arrestuar administratorin e firmës së ndërtimit Leonidha Capi, ndërsa ka proceduar në gjendje të lirë inxhinieri zbatues. Kjo erdhi pas një aksidenti në punë ku u dëmtua rëndë punëtori i tyre.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për rënien e një punëtori nga kati i katërt i një pallati në ndërtim, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin L. C., 42 vjeç, banues në fshatin Babicë e Vogël, me detyrë administrator i firmës që po kryente punimet për ndërtimin e këtij pallati, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. G., 70 vjeç, me detyrë inxhinier zbatues në këtë firmë”, njofton Policia e Vlorës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se punëtori 27-vjeçar me iniciale A. Sh. ka rënë aksidentalisht nga kati i katërt i pallatit në ndërtim, gjatë përdorimit të një makinerie për të cilën nuk ishte i trajnuar. 27-vjeçari po merr mjekim në Spitalin e Traumës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.