04 janar 2015 – Një grua e moshuar mbeti e lënduar sot pasdite vonë në qytetin e Tiranës pasi u përplas nga një automjet që shikoni në foton më poshtë, në vendin e quajtur “Ura e Tabakëve”.
Lindita Bejtja, 68 vjeçe, nëna e gazetarit të njohur Andi Bejtja, mbeti e lënduar në aksidentin e ndodhur në bulevardin “Bajram Curri”, kur një automjet “Wolksvagen” me targa TR 8133 S e përplasi kur ajo po kalonte rrugën nga ana e Lanës në drejtim të rrugës “Shyqyri Ishmi”. Gruaja e moshuar ishte bashkë me të shoqin, kur po kalonin rrugën.
E dëmtuara ndodhet në spitalin e traumës nën përkujdesje mjekësore, jashtë rreziku për jetën. Policia rrugore në vendngjarje ka ndaluar drejtuesin e mjetit shtetasin Mario T, 19 vjeç që shikoni në foton më poshtë. Ndërsa në vendngjarje policia tha se ka kryer ekspertizat e nevojshme hetimore. Rruga që të çon tek vedi i njohur si "Brryli", ka një trafik të dendur.
Ajo është njëkalimëshe dhe ka lëvizje të vazhdueshme të kalimtarëve këmbësorë. Në këtë rrugë ka tabela që njoftojnë kalim këmbësorësh, sidomos te kryqëzime dhe urat e Lanës.





