Ambasadori serb në Libi, Oliver Potezica, ka vdekur pas një aksidenti automobilistik në qytetin Sousse të Tunizisë duke ngritur dyshimet se mund të jetë vrarë.
Gazeta serbe “Vecernje Novosti” tha se Potezica ra në koma pas aksidentit dhe më pas vdiq në spital, teksa autoritetet po hetojnë mundësinë e vrasjes së tij si pjesë e një sulmi terrorist apo si objektiv i grupeve kriminale.
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç e konfirmoi lajmin të mërkurën.
Para se të vdiste, Potezica ishte vizituar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë serbe të Punëve të Jashtme, Veljko Obradoviç.
Në kohën e aksidentit, ai ishte në një udhëtim pune në Tunizi lidhur me mbarëvajtjen e punës së ambasadës serbe në Tripoli, Libi.
Në vitin 2015, dy anëtarë të stafit të ambasadës serbe në Libi ishin rrëmbyer pasi konvoji i Potezicas u sulmua.
Media serbe raportoi se Sladjana Stankoviç dhe Jovica Stepiç u vranë në shkurt të vitit 2016 në një sulm ajror amerikan kundër objektivave të ISIS-it, por Uashingtoni e ka mohuar.