Itali, 31 maj 2014 – Përplasja fatale me një automjet i ka kushtuar jetën një 38 vjeçari shqiptar në Itali. Aksidenti tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën “Garibaldi” në qytetin e Toskanës.

38 vjeçari shqiptar, Festim Faci, ishte duke ecur me biçikletën e tij, kur u përplas nga një automjet që po vinte nga një tjetër rrugë me shpejtësi. Shqiptari humbi jetën mëngjesin e sotëm në spital. Sipas mjekëve, që kur mbërriti me urgjencë, gjendja e tij shëndetësore ishte mjaft e rëndë dhe gjatë natës u përkeqësua edhe më shumë.

Pas incidentit tragjik, familja e shqiptarit që banonte në atë zonë, organizoi një protestë në rrugë dhe policisë italiane iu desh të angazhohej për të ruajtur rendin dhe qetësinë, si dhe për të kthyer normalitetin në qarkullimin rrugor.

Personi që aksidentoi për vdekje 38 vjeçarin shqiptar është ndaluar me akuzën e “Vrasjes”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/