Një e moshuar 71-vjeçare nga Durrësi, shtetasja Q.Ç. është aksidentuar për vdekje në kryeqytet, ditën e shtunë, ndërsa është arrestuar drejtuesja e mjetit, shkaktar të aksidentit.
Policia e kryeqytetit bën të ditur se “u arrestua në flagrancë shtetasja, A.Z, vjeç 21, banuese në Tiranë, pasi në rrugën “Dritan Hoxha”, duke drejtuar mjetin tip ‘‘Volkswagen”, ka aksidentuar me vdekje këmbësoren, Q.Ç., 71 vjeç, banuese në Durrës".
Ndërkohë, po në kryeqytet, një e re nga Durrësi ka mbetur e plagosur lehtë, pasi makina tip “Smart”, e drejtuar prej saj, është përplasur nga një 37-vjeçare nga Tirana, që udhëtonte me një “Ford”.
Mësohet se 31-vjeçarja I.D. nga Durrësi është larguar drejt banesës pas mjekimit të marrë në spital, ndërsa policia ka nisur procedimin penal për 37-vjeçaren që shkaktoi aksidentin.
Ndërkohë në Durrës, është arrestuar në flagrancë nga policia rrugore i riu D.D. 27 vjeç. Në momentin e kontrollit nga policia, ai është kapur nga shërbimet e qarkullimit rrugor, duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin tip “BMW”.





