Nje i riu ka gjetur vdekjen këtë mbrëmje në Tiranë, pasi motori që ai drejtonte është përplasur me murin anësor të rrugës pas humbjes së kontrollit.
Ngjarja konfirmohet nga burimet e policisë. I riu është Jetnis Dollapi. Ky emër është i njohur për policinë dhe publikun pasi disa vite më parë, në vitin 2010, i riu u arrestua dhe më pas u dënua për përplasje me armë mes grupeve muzikore të rep-it, OTR dhe TBA. Jetnisi mbështeste grupin e këngëtarit Stresi gjate nje sherri qe ata kane pasur ne vitin 2010 me grupin e kengetarit tjeter Noizy.
“Tek ish-Klubi “Partizani”, shtetasi Jetnis Dollapi, rreth 28 vjeç, duke drejtuar motorrin, me targë TR 430 E, ka humbur drejtimin dhe është përpasur me muret anësore të rrugës. Drejtuesi i motorrit është dërguar në SQU, ku më vonë ka humbur jetën. Grupi hetimor po kryen veprimet për të përcaktuar shkakun e humbjes së kontrollit”, njofton policia.
LAJMI NE VITIN 2010
“Far west”, mund të quhet përplasja me armë mes dy grupeve, njërit të quajtur OTR dhe një tjetri rival me ta TBA. Ngjarja në kryeqytet në sheshin pranë Pallatit të Kongreseve, përpara nisjes së një fetivali të organizuar nga një kompani private, ndërsa plumbat, u drejtuan për nga pjesëtarët e njërit prej grupeve rivale, nuk u hezitua që të drejtohen edhe për nga uniformat e policisë.
Këta të fundit madje shkëmbyen zjarr me ta. Pas pushimit të zjarrit, policia mundi të arrestonte në flagrancë njërin prej të dyshuarve të ngjarjes, Jetnis Dollapajn, 24 vjeç, banues në Tiranë në rrugën “Bajram Curri”, ndërsa bllokoi një armë automatike të një modeli të vjetër.
Ndërkaq veç tij, policia shoqëroi në ambientet e saj afërsisht 10 persona, mes të cilëve 5 pjesëtarë të grupit OTR, dhe 5 të tjerë të grupit TBA. Vokalist dhe drejtues i grupi OTR, është Noyzi, apo siç quhet ndryshe Rigels Rajku, ndërsa i grupit TBA, është Arkimed Lusha, i cili në emrin e artit thirret Stresi.
Ndërkaq, në vendin e ngjarjes, policia ka bllokuar veç armës së Jetnis Dollapajt edhe sende të tjera të forta, si shkopa bejzbolli, armë të ftohta. Burimet e policisë pohuan se zyra e hetimit të vrasjeve, mund të arrestonte së paku deri në katër persona gjatë mbrëmjes së djeshme, ndonëse hetimet kanë vijuar deri në orët e para të mëngjesit.





